QENDRA E EKSPORTEVE SHQIPTARE
ALBANIAN EXPORT CENTER
HOTLINE :      +355 67 604 52 40      e Hë - e Pr  8:00  - 18:00
ADRESA :   Rr. "Gjin Bua Shpata", Pallatet e Aviacionit të Vjetër, Shk. 4, Kati i I, Ap.16, Tiranë

LAJM!
Në lidhje me ndryshimet e menjëhershme në legjislacion, njoftimet e aktiviteteve dhe ngjarjeve, informacionin përkatës dhe të dobishëm. Të jetë i përditësuar! Të përshtatet me kushtet e reja të të bërit biznes me ne.

Të sfidosh me shegë-ambicja e një fermeri

Të sfidosh me shegë-ambicja e një fermeri

Nga bionews 18/10/2017

Kushdo që ka patur një bahçe të vogël në shtëpinë  e tij në fshat ose te shtepia e gjyshërve për ata që banojnë në qytet  nuk është çudi të lidhin shumë kujtime me pemët frutore,kumbullën, manin,dardhën, hardhinë e rushit ose shegën.

E nëse për frutat e tjera fermerët  e dikurshëm kishin njohuri të pakta, për rritjen, trajtimin ose produktet që mund të nxirrnin me to,  shega si një princeshë e frutave të kopshtit lihej të rritej vetë ashtu në mënyrë të virgjër, me kokrat e saj të kuqe dhe të ëmbla dhe gjithkush mezi priste kohën e vjeljes dhe ruajtjes së tyre për një kohë të gjatë në qilaret e ftohta të shtepive për t’u konsumuar e freskët dhe e pacënuar nga koha sikur ta kishe këputur sot nga dega.

Dhe jo më kot shega quhet “mbretëresha e frutave shqiptare”, sa për vlerat e saj unike shëndetësore, aq dhe për shijen e saj të pakrahasueshme.

E që nga ajo kohë nuk janë të paktë fermerët që guxojnë të kultivojnë shegë, por jo atë shegën e fshehur mes kopshteve të dikurshme, po shegën e bukur, të skuqur nga dielli i ngrohtë i këtij tetori, shegën që flet vetë për bukuritë dhe cilësinë e saj.

Të sfidosh me cilësine

 Pëllumb Berzeshta është njëri prej kultivuesve më të mëdhenj të shegës në Kozarë të Beratit. Për Pëllumbin të kultivosh shegë nuk është thjesht synim të fitosh frutin e saj, por sfidë të arrish të nxjerrësh një prodhim perfekt.

Dhë në fakt në gjithë parcelat e tij rreth 6.6 ha të mbjella me shegë spikat dora e një fermeri merakli, që kujdeset edhe për detajet më të vogla, që frutat e shegës të jenë perfekte pa asnjë cen, dhe kjo është kthyer në sfidë dhe ambicje të tij.

Pëllumbi ka vite që merret me shegë dhe në krah ka këshilltarë agronomë. Në një terren ku mungojnë thuajse plotësisht kultivarët dhe specialistët për rritjen e shegës Pëllumbi duket se ja ka dalë. Po jo pa vështirësi, ai është përballur vetë me sfidat edhe në ato raste kur kjo peme jo pak tekanjoze ka nxjerre ndonje patologji të lehtë sic janë krimbat e trungjeve, apo kokrat kur çahen, gjithçka që ai është munduar ta zgjidhe vetë. Në këtë mënyrë ja ka dalë të  çojë në treg te konsumatori, jo vetëm arka të mbushura, por fruta që shkelqejne dhe mbushin me aromë.

Problem mbetet marketingu i prodhimit, nuk ka asnjë literaturë të vetme për shegën, kërkohen ndërhyrje kimike, organike, duhet mbrojtur nga insektet apo patologji të tjera”- thotë ky njeri i palodhur që e lidhi jetën e tij pas emigrimit në Itali dhe Greqi me shegën.

Madje edhe nje restorant që ai menaxhon në zonën e Urës Vajgurore bashkëfshatarët dhe ata që e njohin e kanë pagëzuar me emrin “Restorant Shega”.

Pëllumbi pret të marrë këtë vit 60 ton shegë dhe prodhimi është dedikuar për tregun vendas. Por ky fermer nuk ka droje të përballet dhe me tregun e huaj, i sigurt se prodhimi i tij nëse eksportohet 100%, asnjë kokër shegë nuk do “kthehet mbrapsht”.

Por ky është vetëm fillimi i një projekti të madh, të zgjerojë më tej sipërfaqet e mbjella me shegë dhe cdo kokër shege të jete nje model cilësie më vete.

Pse shegët?

 Ideja e kultivimit të shegës nuk ishte e rastësishme dhe nuk u krijua brenda një dite. Pas kthimit nga emigracioni Pëllumbi provoi disa profesione dhe më pas mbolli peme frutore rreth banesës së tij të re me rikthimin ne Shqipëri. Janë vitet 2005-2006 kur do niste edhe tregtinë e fruta perimeve, të cilat i mblidhte nga fermerë të zonës dhe i shiste kryesisht në Tiranë. Ajo që vuri re ishte “etja” e banorëve të Tiranës, por jo vetëm për shegë. Ky ishte dhe ngacmimi i parë. Dhe më pas takimi me një agronom të zonës nguliti tek ai idene e pakthyeshme të kultivimit te shegës.

Dhe keto parcela me disa koleksione te ndryshme shegësh  flasin vetë për pasionin dhe dashurinë e këtij fermeri që ka qendisur me durim keto zona dikur djerrë…