QENDRA E EKSPORTEVE SHQIPTARE
ALBANIAN EXPORT CENTER
HOTLINE :      +355 67 604 52 40      e Hë - e Pr  8:00  - 18:00
ADRESA :   Rr. "Gjin Bua Shpata", Pallatet e Aviacionit të Vjetër, Shk. 4, Kati i I, Ap.16, Tiranë

LAJM!
Në lidhje me ndryshimet e menjëhershme në legjislacion, njoftimet e aktiviteteve dhe ngjarjeve, informacionin përkatës dhe të dobishëm. Të jetë i përditësuar! Të përshtatet me kushtet e reja të të bërit biznes me ne.

Nedretja stoike, fermerët grupi tjetër i emigrantëve shqiptarë

Nedretja stoike, fermerët grupi tjetër i emigrantëve shqiptarë


Nga Sabina Veizaj - Nedretja kur i telefonova ishte duke shpënë 30 gratë e firmës së saj në Karavasta për të festuar 8 Marsin.

Nedretja është njëkohësisht fermere dhe eksportuese. Më thotë që i do gratë shumë, i mbron dhe lufton për to e në emër të tyre.

Ajo është simbol i luftës së përditshme sepse tashmë është shumë e vështirë të jesh fermer në Shqipëri, e për më tepër fermer femër.

Me zë bas, të plotë e mirëseardhës më përgjigjet Nedretja në telefon. Unë jam e interesuar të di këndvështrimin e saj për skemën e re të TVSH-së për produktet primare bujqësore.

Fermerja 58-vjeçare, shumë e gjallë dhe energjike, nuk e transmeton shqetësimin në zë, por më thotë se në 10 minuta kohë që ka në dispozicion tek udhëton drejt vendit ku do të shpenzojë me koleget e saj drekën e 8 Marsit, do të më shpjegojë se çfarë mendon. “Unë qeverisë së Edi Ramës do t’i jepja një bravo për atë që bëri në 2014-ën, hoqi atë skemën e parë që ishte për bujqësinë 6% dhe i dha një prioritet bujqësisë shqiptare, ecëm shumë mirë. Me skemën e re ka shkuar mbrapa 8 vite dhe i vë një minus të madh sektorit të bujqësisë”, më tregon në telefon Nedretja.

Me skemën e re, ajo llogarit se xhiroja e saj vjetore do të përgjysmohet. Në vitin 2018 Elian export, firma e saj ka bërë një xhiro prej 8 mln euro. Sipas Nedretes me skemën e re të TVSH-së goditen si fermerët dhe eksportuesit, por më shumë fermerët.

Nedretja është 58 vjeç dhe ka nisur të kultivojë fruta-perime gati 20 vite më parë në tokën e saj në Zgjana të Lushnjës. Ajo kujton se prodhimet e para i shiste ndanë rrugës, mandej kishte një oreks të madh për të punuar dhe nisi të eksportonte. Nedretja thotë se është eksportuesja e parë në këtë fushë.

Nedretja nuk dorëzohet. Në asnjë moment të bisedës nuk më tha se do të ndalë punën, por veç më tregoi që do t’i përgjysmohet xhiroja. Ajo më rrëfen në atë bisedë të shkurtër telefonike se me këmbët e veta është rrëzuar dhe ngritur shumë herë gjatë jetës. Përpos rrezeve të forta të diellit, që e përvëlonin për gjatë nën plastikën e serës, Nedretja në vitin 2010 luftoi me jetën, por me buzëqeshje dhe kishte nxitim për t’u rikthyer në punë. Kishte merak klientët e saj.

“Në 2010 kam kaluar një tumor, mendova se do të vdisja. Ishin 11 veta në dhomën e spitalit tek Onkologjiku në Tiranë dhe vetëm unë shpëtova. Unë nuk interesohesha për operacionin, por kur do të dilja nga spitali që të shkoja te puna. Pyesja mjeken çdo mëngjes, kur do ngrihem të shkoj te puna se kanë ngelur klientët pa punë. Klientët vinin më takonin në spital dhe interesoheshin për shëndetin tim”, më tregon Nedretja.

Ajo aktualisht eksporton në mbi 20 shtete; Ballkan dhe Europë; Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Slloveni, Kroaci, Suedi, Gjermani, Holandë, Itali, Ukrainë, Çeki. Rumani, Bullgari, etj. Ajo ngarkon 1000 kamionë në vit x 22 ton secili me perime dhe fruta.

Pak vite më parë ajo ka çelur biznesin e saj. “Djalin e kam bërë drejtor, vetë jam administratore, vajza është ekonomiste. Motrën e kam marrë menaxhere. Stafin e kam kryesisht me gra dhe bëj të pamundurën për to”, më tregon Nedretja.

Tek Nedretja më flet në telefon unë e imagjinoj mbi kamionë, mes fermereve, mes arkave të perimeve që paketon përditë dhe i çon në të gjitha anët e botës.

Ajo më thotë se është shumë e shqetësuar si për veten, por mbi të gjitha për fermerët e vegjël që do të shkatërrojnë fermat e tyre dhe punën e shumë viteve.

*Burimi – Gazeta SI