QENDRA E EKSPORTEVE SHQIPTARE
ALBANIAN EXPORT CENTER
HOTLINE :      +355 67 604 52 40      e Hë - e Pr  8:00  - 18:00
ADRESA :   Rr. "Gjin Bua Shpata", Pallatet e Aviacionit të Vjetër, Shk. 4, Kati i I, Ap.16, Tiranë

LAJM!
Në lidhje me ndryshimet e menjëhershme në legjislacion, njoftimet e aktiviteteve dhe ngjarjeve, informacionin përkatës dhe të dobishëm. Të jetë i përditësuar! Të përshtatet me kushtet e reja të të bërit biznes me ne.

Dritë Jeshile për Hapjen e Negociatave të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë

Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës 

Dritë Jeshile për Hapjen e Negociatave të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë

Sot në datë 22 shkurt u nënshkrua në Ukrainë Memorandumi i Mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës, përkatësisht mes z. Ditmir Bushati, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të  Shqipërisë dhe Z. Pavlo Klimkin, Ministrit të Punëve të Jashme të Ukrainës.   Gjatë kësaj vizite diplomatike ministri Bushati do të takohet edhe me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë së Ukrainës ku do të diskutohet për hapjen e negociatave të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me dy vendeve.  Z. Ditmir Bushati në fjalimin e tij theksoi që ka një interes të lartë për eksportin e produkteve shqiptare në Ukrainë, sidomos atyre agro – bujqësore.  

Shqipëria dhe Ukraina nuk kanë pasur një marrëdhenie diplomatike deri në 2-3 vitet e fundit. Më 4 nëntor 2016, Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës Pavlo Klimkin zhvilloi një vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, ku  u diskutuan çështjet e bashkëpunimit dypalësh, duke përfshirë zbatimin e projekteve prioritare në fushën e tregtisë dhe bashkëpunimit ekonomik. Gjithashtu u nënshkrua një marrëveshje midis Kabinetit të Ministrave të Ukrainës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen reciproke të kërkesave për viza, duke sjellë kështu lëvizjen e lirë të njerëzve mes dy vendeve. Fillimi i negociatave për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë do të ishte një hap i rëndësisëm për diplomacinë dhe ekonominë e këtyre dy vendeve, por sidomos për biznesin shqiptar, i cili është në kërkim të tregjeve të reja për eksportin e produteve agro-ushqimore e jo vetëm.

Qendra Shqiptare e Eksporteve, duke e parë Ukrainën si një treg potencial,  organizoi në prill të vitit 2017, për herë të parë në 26 vite, Forumin e Biznesit shqiptaro-ukrainas. Delegacioni i biznesit ukrainas përfshinte zyrtarë qeveritarë, të cilët negociuan me Ministrinë e Ekonomisë së Shqipërisë për perspektivat e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë.

Marrëveshjet e tregtisë së lirë (MTL) janë angazhime në të cilat vendet i japin njëri-tjetrit trajtim preferencial në tregti, si eliminimi i tarifave doganore dhe barrierave të tjera në mallra. Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë çojnë në krijimin e tregjeve të reja për bizneset, lehtësojnë prodhimin e mallrave me cilësi të lartë dhe përmirësojnë ekonominë me hapjen e tregjeve të reja. Në këtë drejtim Ukraina mund të konsiderohet si një treg i madh potencial për prodhuesit shqiptarë, duke qenë vendi i dytë më i madh në Evropë, me një popullsi prej 44 milion banorësh.

Shqipëria gjithashtu ka potencial të madh për eksport në Ukrainë të frutave, perimeve, ullinjve, vajit të ullirit, verës, djathit të dhisë dhe bimëve aromatike medicinale. Ky është një potencial i madh, por ende i pazbuluar në Ukrainë. Vetëm gjatë vitit 2016, Ukraina ka importuar nga vende të tjera të botës perime në vlerë prej 43 353 000 dhe vetëm rreth 80 000 dollarë nga Shqipëria, ndërsa importi i ullirit ka qenë në vlerën 41 752 000 dollarë nga vende të tjera të botës, nga Shqipëria pothuajse zero.

Në të njëjtën kohë Shqipëria importon pothuajse 30% të importit të përgjithshëm të imputeve nga Ukraina me normë doganore prej 2%; sheqer 10 % të importit total me një normë të detyrimeve doganore 10%, importon vajin e lulediellit, ushqimin e kafshëve, vezët, miellin e grurit - dhe të gjitha këto produkte kanë detyrime doganore rreth 10%. Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë këto tarifa doganore do të ishin në vlerën  0%, gjë që do të sillte uljen e çmimit për konsumatorin final. Fqinjët tanë, Mali i Zi dhe Maqedonia, tashmë gëzojnë përfitimet e  Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Ukrainën.

Bota moderne po bëhet çdo ditë e më vogël dhe vendet po afrohen më shumë me njëri - tjetrin. Trendi i tregtisë është liberalizimi dhe lëvizja e lirë e mallrave. Fuqizimi marrëdhënieve diplomatike, e mbi të gjitha hapja e negociatave për Marrëveshjen e Tregtsë së Lirë Shqipëri-Ukrainë është shumë i rëndësishëm për operatorët e biznesit, pasi ato duan të tregtojnë hapur dhe pa barriera. Qendra e Eksporteve Shqiptare, si zëri i eksportuesve shqiptarë, po bën përpjekje të mëdha në mënyrë që procesi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të përparojë. Kjo do t’i hapte rrugë gjetjes së tregjeve të reja produkteve vendase.