QENDRA E EKSPORTEVE SHQIPTARE
ALBANIAN EXPORT CENTER
HOTLINE :      +355 67 604 52 40      e Hë - e Pr  8:00  - 18:00
ADRESA :   Rr. "Gjin Bua Shpata", Pallatet e Aviacionit të Vjetër, Shk. 4, Kati i I, Ap.16, Tiranë

LAJM!
Në lidhje me ndryshimet e menjëhershme në legjislacion, njoftimet e aktiviteteve dhe ngjarjeve, informacionin përkatës dhe të dobishëm. Të jetë i përditësuar! Të përshtatet me kushtet e reja të të bërit biznes me ne.

Ecuria e eksporteve gjatë muajit Janar 2018

Më 19 Shkurt, 2018

Exonomix.al


Deficiti tregtar i vendit është thelluar më tej në nisje të këtij viti. Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat për tregtinë e jashtme, ku konstaton se në janar 2018, eksportet e mallrave arritën vlerën 23 miliardë lekë, duke u rritur me 23.6 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 6.4 % kundrejt muajit të mëparshëm. Ndërsa importet vlerësohen në këtë periudhë në vlerën 45 miliardë lekë, duke u rritur me 27.0 % në krahasim me një vit më parë dhe u duke u ulur me 26.5 % kundrejt dhjetorit 2017. Sipas INSTAT-it, deficiti tregtar i këtij muaji është 21.3 miliardë lekë, me rritje me 31.1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 45.1 %, në krahasim me dhjetorin 2017.

Produktet që rritën eksportet

Dy janë grupet që kanë dhënë ndikimin kryesor në rritjen vjetore të eksporteve: grupi “Materiale ndërtimi dhe metale” me 10.5 për qind rritje dhe “Tekstile dhe këpucë” me 8.1 për qind rritje. Ndërkohë ndikim pozitiv ka dhënë edhe grupi “Ushqim, pije, duhan” me 2.7 për qind rritje. Grupi që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve është: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 1.9 për qind rënie.

Në janar, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me vitin e kaluar janë: Italia me (6.1 %), Spanja me (114.6 %) dhe Kosova me (43.7 %). Ndërsa vendet, me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Franca me (-15.4 %), Rumania me (-6.8 %) dhe Hungaria me (-18.7%).

Produktet që rritën importet

Rritja vjetore e importeve me 27.0 % në janar të këtij viti u ndikua kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 10.9 për qind rritje, “Makineri, paisje, pjesë këmbimi” me 5.6 për qind rritje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 3.3 për qind rritje. Në ndryshimin vjetor të importeve nuk ka ndikuar negativisht asnjë grup.

Në janar, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve në krahasim me vitin e kaluar janë: Italia me (14.9 %), Turqia me (40.2 %) dhe Kina me (12.9 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Shtetet e Bashkuara me (-11.9 %), Rusia me (-30.8 %) Egjypti me (-7.5 %).

Pjesa dërrmuese e tregtisë me Bashkimin Europian

Instituti i Statistikave konstaton se Shqipëria kryehn pjesën dërrmuese të tregtisë me vendet e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave, në janar 2018, shkëmbimet tregtare me vendet e BE zunë 67.1 %, të gjithë tregtisë. Eksportet drejt vendeve të BE-së përbëjnë 81.5 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 59.5 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (35.6 %), Greqia (7.2 %), Kina (6,7 %) dhe Gjermania (6.2 %).